Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt seancës për konstituimin e Kuvendit pa sigurinë se i ka votat e nevojshme. Derisa me shumë gjasë votat për kryetar të Kuvendit do të sigurohen, votimi i Qeverisë mbetet një pikëpyetje e madhe. Më 14 prill, udhëheqësit e partive opozitare sqaruan disa pozicione të rëndësishme të tyre në raport me formimin e institucioneve të reja të vendit.
Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PDK-së, deputetët e kësaj partie kanë deklaruar se qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar, ndërsa vendimet e marra në mbledhje do të bëhen të ditura përmes një komunikate.
Ndërkohë, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se preferon që partia që ai drejton të mbetet në opozitë.
Megjithatë, ai ka theksuar se LDK-ja mund të gjykohet vetëm pas dështimit të Vetëvendosjes për të formuar qeverinë. Deri më tash nuk dihet saktë qëndrimi i Fatmir Limajt. Ai ka deklaruar sot se nuk ka marrëveshje me askënd, por është i gatshëm të ulet e të bisedojë në mënyrë që të mos krijohet krizë institucionale.