Zvonko Veselinoviq, një biznesmen kontrovers nga Kosova, i cili është ndjekur penalisht dhe dënuar në të kaluarën, është fotografuar në një tubim të organizuar nga Aleksandar Vuçiq.
Veselinoviq ka kompani të shumta të cilat marrin punë shtetërore, dhe i cili sillet në lidhje me aktivitete të shumta kriminale.
Zvonko Veselinoviq është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Hera e parë që ka ndodhur ka qenë në vitin 2003, në rrugën Rashkë – Kralevë, kur është ndaluar me tre persona të tjerë. Në makinë u gjetën 3 kilogramë e 190 gramë heroinë dhe vlera e drogës arrinte në 150 mijë euro. Në gusht të vitit 2004, Veselinoviq u ndalua me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e Sllavisha Maksimoviqit, dhe nga fundi i vitit 2005, ai u arrestua në qendër të Mitrovicës veriore për gjoja vjedhjen e një veture.
Gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2011, serbët nga veriu i Kosovës ngritën barrikada në vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak me qëllim që të pengojnë EULEX-in që të transportojë doganierët shqiptarë në ato vendkalime. Ka pasur disa konflikte me policinë dhe gjatë një prej incidenteve ka mbetur i vrarë një pjesëtar i policisë speciale të Kosovës.
Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, i etiketoi Zvonko Veselinoviqin dhe vëllanë e tij Zharkon si organizatorë të incidenteve në barrikada.
Në dhjetor të vitit 2011, Veselinoviqi u ndalua së bashku me vëllain e tij në Kopaonik dhe në aktakuzën kundër tij, Milan Radoiçiq dhe Dragan Ćurçiq, thuhej se në mënyrë të paligjshme kanë përvetësuar 32 kamionë në pronësi të kompanisë së lizingut “Hypo Alpe – Adrija lizinga” dhe në këtë mënyrë kanë përfituar pasuri prej së paku 237 milionë dinarë. Gjykata e Apelit i shpalli të pafajshëm Veselinoviqin dhe Radoiçiqin, ndërsa Ćurçiq u dënua me tre vjet.
Në procedurën për gërmim të paligjshëm të zhavorrit në Korridorin 10 është marrë vendim lirues dhe në këtë procedurë, përveç të dyve, janë akuzuar edhe Ivan Stamenoviq dhe biznesmeni krushevas, Goran Makragiq, shkruan N1.
Në vitin 2019, Gjykata në Prishtinë kishte lëshuar një urdhër- arrest ndërkombëtar ndaj Veselinoviq nën dyshimin se pati gisht në ngjarjen e 25 korrikut të vitit 2011, ku mbeti i vrarë pjesëtari i njësitit special të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.
Veselinoviq është përmendur edhe në rastin e vrasjes së ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Zvonko Veselenoviq, është vënë edhe në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Departamenti e ka cilësuar Veselinoviqin udhëheqës të grupit të krimit të organizuar si dhe një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe në veriun e Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest për Zvonko Veselinoviqin në vitin 2021 i cili dyshohet për vepër penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, vepër penale të vrasjes së rëndë, vepër të rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara dhe personelit në marrëdhënieve me to dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.