Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka konfirmuar se çmimi i rrymës është rriturt për 16%.
Kjo është bërë e ditur me një komunikatë për media.
“Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%. Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në njoftim.
Mbledhja e sotme u shoqërua me tensione mes gazetarëve dhe udhëheqësve të ZRrE-së.
Bordi i Zyrës se Rregullatorit të Energjisë sot i ka miratuar propozimet për aprovimin e të hyrave te lejuara maksimale të operatoreve energjetik.
Miratimi i këtyre kërkesave nënkupton se ky institucion ka vendosur për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.
Ndonëse propozimit për aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale për OST/OT; propozimit për aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale për OSSH; dhe propozimit për aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale për FSHU është bërë më 5 vota për dhe asnjë kundër, askush prej të pranishmeve në sallë nuk ka dashur të flas se cila do të jetë përqindja e rritjes se tarifave për energjinë.
Pas miratimi të këtyre raporteve, Kryesuesi i Bordit të Zyrës Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, ka kërkuar nga gazetarët që të lirojnë sallën.
“Meqenëse tani kemi piken për shqyrtimi i Ankesave të Konsumatorëve, i kisha lutur të gjitha mediat me na mirëkuptu, për shkak të privatësisë kalojmë në seancë të mbyllur dhe vazhdojmë me pika tjera të rendit të ditës”, ka thënë ai.
Kjo ka nxitur reagimin e gazetarëve të pranishëm, të cilët kanë kërkuar sqarime se sa për qind është rritur çmimi i energjisë elektrike.
Askush prej anëtareve të bordit të ZRR-së dhe as kryesuesi Fejzullahi nuk është përgjigjur në pyetje e gazetarëve.
Vetëm pas polemikave të shumta të gazetarëve, Fejzullahi ka thënë se përmes një komunikate për media do të jepen më shumë detaje.
“Ne do ta lëshojmë edhe një komunikatë për media dhe do ti shihni të gjitha detajet”, ka thënë ai.