Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar sulmin terrorist ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan. Ai thotë se aty ka grupe që inkurajohen nga krimineli Radoiçiq.
“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka shkruar ai.
Kurti e quajt këtë akt si cënim i sigurisë dhe pengim i integritetit të qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët. Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti.

Tutje Kurti ka shkruar se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet, sipas tij, të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i Kosovës.