Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar rreth ngarkesave të reja financiare ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Në një reagim, thuhet se gjatë kohës kur qytetarët dhe bizneset po përballen me sfida të shumta, paralajmërimi për shtrenjtim të energjisë elektrike paraqet barrë shtesë. “Në kohën kur qytetarët dhe bizneset po përballen me sfida të shumta ekonomike, duke përfshirë edhe inflacionin, paralajmërimi për një tjetër shtrenjtim të energjisë elektrike paraqet një barrë shtesë për familjet kosovare si dhe për sektorin privat. Ky vendim vjen pas rritjes së tatimit në pronë, pas ri-vlerësimit të pronës që është bërë nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, ka rënduar buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve që ka ndikuar edhe në ekonominë lokale në Komunat e Kosovës” – thuhet në reagim.
Veç kësaj, AKK ka deklaruar:
“Për më tepër, ka filluar edhe zbatimi i tatimi në tokën bujqësore, duke krijuar një tjetër sfidë për fermerët dhe sektorin agro-industrial, të cilët janë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit”.
“Kombinimi i këtyre tre faktorëve – rritja e çmimit të energjisë, rritja e tatimit në pronë dhe tatimi mbi tokën bujqësore, do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve, duke rritur koston e jetesës dhe duke vështirësuar zhvillimin e bizneseve që ka impakt të drejtëpërdrejtë edhe në zhvillimin ekonomik lokal.
Kjo qasje e vazhdueshme e ngarkimit të qytetarëve me tatime të reja dhe tarifa të rritura në mënyrë peridoike kërkon një koordinim ndërinstitucional por dhe qasje më të balancuar, me qëllim që të mos dëmtohet edhe më tutje stabiliteti ekonomik dhe të ruhet mirëqenia e përgjithshme ekonomike e vendit dhe vetë pushtetit lokal”.