Pas disa javësh organizimi informues, më 15 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, u manifestua mllefi qytetar ndaj zhvatjes nga supermarketet zinxhir, në formë bojkotimi rajonal ndaj këtyre supermarketeve.
Nga informatat e siguruara prej ATK-së, mbi qarkullimin e supermarketeve zinxhir, më 15 mars shihet një rënie prej rreth 10% në krahasim me ditën paraprake (14 mars), nga 2,522,940 në 2,278,993. Po ashtu, kjo tregon se të dhënat mbi bojkotin e 10 shkurtit nuk ishin të sakta, pasi aty qarkullimi i raportuar ishte rreth 13 milion euro, një shifër që me gjasë përfaqëson qarkullimin e të gjitha dyqaneve në Kosovë, dhe jo vetëm të supermarketeve zinxhir.
Më tutje, këto shifra bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pretendimet e Aleancës Kosovare të Bizneseve, e cila, duke cituar burime misterioze, pretendonte se më 15 mars kishte rritje në qarkullim. Kjo është një përpjekje e qartë për të minimizuar ndikimin e bojkotit dhe për të çorientuar opinionin publik.
Fakti që edhe me të gjitha përpjekjet për të minimizuar bojkotin, kemi një rënie të dukshme në qarkullim, është tregues i fuqisë që kanë qytetarët kur veprojnë së bashku, pavarësisht sfidave dhe mungesës së transparencës institucionale. Bojkoti i 15 marsit është suksesi më i madh deri tani, duke dëshmuar se presioni qytetar nuk mund të injorohet. Kjo është vetëm një betejë në një luftë më të gjatë për drejtësi ekonomike dhe llogaridhënie, thuhet ne njoftimin e iniciatorëve të “Bojkoto supermarketet”.