Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq deklaroi në Bruksel se nënshkrimi i një memorandumi ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes paraqet shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale dhe shtoi se është pothuajse i sigurt se NATO-ja nuk ishte e informuar për këtë.
Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi se kjo ishte një nga temat e bisedës që ai ngriti.
“Kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por ne kemi parë nga reagimet e Kroacisë dhe disa pjesëve të tjera të rajonit se ata nuk janë shumë të interesuar për të. Jam pothuajse i bindur se NATO-ja as që ishte e informuar dhe se as që u është thënë se cilat marrëveshje janë shkelur”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nuk mendon se për këtë do të shqetësohen Prishtina, Zagrebi apo Tirana.
“Na takon neve, për më tepër, t’i theksojmë zotit Rutte dhe njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është një shkelje e asaj që është pranuar, nënshkruar dhe respektuar që nga viti 1996. Na takon neve të kuptojmë realitetin dhe të përgatitemi për të ardhmen në përputhje me rrethanat”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit Mbrojtës, e cila do t’i kontribuoi paqes dhe stabilitetit rajonal.