Me ftesë të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, ishte i ftuar sonte në iftarin e shtruar nga ambasada turke dhe Guvernatori i Edirnesë, Yunus Sezer.
“Agjërimi në muajin e Ramazanit na mëson se sakrifica është virtyt, sfidat janë mundësi dhe të mirat janë bekim. Ramazani është kohë e reflektimit. E për besimtarët myslimanë është edhe muaj i përsosjes së vetive, zakoneve, synimeve e veprave. Është thirrje për përulësi, përmirësim dhe përvetësim: përulësi ndaj tjerëve, përmirësim të vetes, dhe përvetësim të mësimeve. Për të gjithë është thirrje për harmoni, paqe, solidaritet e mirësi. Andaj, le t’i përgjigjemi kësaj thirrje çdo ditë të vitit, sikurse secilën ditë të këtij muaji”, u shpreh kryeministri.