Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për dy raste të ndryshme i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për dy zyrtarë policorë, njëri rast në Gjakovë kurse rasti tjetër në Prishtinë.
Lidhur me rastin e parë që raportohet të ketë ndodhur në Gjakovë në janar të këtij viti në një aheng familjar, hetuesit e IPK-së bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani, zyrtari policor është i dyshuar për dy vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” .
Në rastin e dytë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor i cili ishte me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt.