Kosova, aktualisht, nuk ka asnjë lobues të kontraktuar në SHBA. Derisa Serbia vazhdon të forcojë prezencën e saj në Uashington përmes pesë kontratave të lobimit, Kosova mbetet pa një mekanizëm të tillë ndikimi. Marrëveshjet e mëparshme të lobimit skaduan pikërisht pak para ndryshimeve në administratën amerikane me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit.
Që nga viti 1992 Kosova ka përdorur lobimin për të përforcuar pozicionin e vendit në Uashington. Kjo ka ndihmuar në shpalljen e Pavarësisë, mbështetjen ushtarake dhe partneritetet strategjike. E sot? Asnjë kontratë nuk figuron në regjistrin e lobuesve në SHBA. Ministria e Jashtme kishte dy kontrata lobimi deri vitin e kaluar, por tani ato kanë skaduar. Për dallim nga kontratat e së kaluares, me kompani të njohura lobimi, këtë herë MPJD kishte angazhuar dy shqiptarë që shumicën e shpenzimeve i kishin deklaruar për dreka e darka pune dhe udhëtime. Në të njëjten kohë institucionet e Serbisë kanë pesë kontrata aktive lobimi në SHBA, për të cilat paguajnë kompani amerikane mbi 250 mijë dollarë në muaj. Republika sërpska i ka të lidhura 6 kontrata të lobimit nga Bosnje e Hercegovina, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk kanë asnjë lobues të kontraktuar. Pak pasi Kosova mbeti pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, atje u ndërrua administrata, me ardhjen në pushtet të presidentit republikan Donalld Trump. Komunikimi i vetëm zyrtar i tij drejt Kosovës deri më tani, ka qenë një letër urimi për 17 vjetorin e Pavarësisë. Ajo letër pasoi disa kritika që i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i beri ndaj qeverisë Kurti, kur tha se SHBA-së i duhen partnerë të besueshëm në ballkan, ndërsa ajo e Kurtit nuk është e tillë. Grenell ka shtuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, nuk kanë qenë në pikën më të ulët. REL