Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).
Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa treguar saktësisht sa.
“Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.
“Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.
EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.
Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës më 7 mars për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti. REL